Parandalimi i dhunës mbi baza gjinore në Ballkanin Perëndimor - historik i shkurtër i punës sonë
Që nga viti 2006, iniciativa për adresimin e barazisë gjinore, mënyrën e shëndetshme të jetesës dhe parandalimin e të gjitha llojeve të dhunës dhe ekstremizmit në Ballkanin Perëndimor – Iniciativa e Burrave të Rinj (YMI) – ka punuar në ndërtimin e qëndrimeve dhe sjelljeve më të barabarta gjinore të të rinjve dhe zvogëlimin e dhunës ndërpersonale dhe asaj mbi baza gjinore (kryesisht dhuna e ushtruar nga burrat e rinj ndaj bashkëmoshatarëve të tyre, ndaj burrave të tjerë të rinj si dhe dhuna e ushtruar nga burrat e rinj ndaj grave të reja) në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi. Në vitin 2010, Iniciativa e Burrave të Rinj u zgjerua në Kosovë*, dhe në vitin 2013 në Shqipëri. CARE International Balkans, me mbështetjen teknike nga Promundo, Rio-de-Zhanejro, Brazil dhe Qendra Ndërkombëtare për Kërkime mbi Gratë (ICRW), Uashington, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me mbështetjen financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze dhe Fondacionit Oak, hartoi një sërë manualesh për t’i sfiduar normat shoqërore të maskulinitetit dhe dhunës përmes punëtorive edukative që u zhvilluan në shkolla dhe kampanjave shoqërore që kishin pikë synimi burrat e rinj 14-19 vjeç.
Qasja e YMI bazohet në kurrikulën transformuese gjinore të përshtatur sipas Programit H të Institutit Promundo dhe të dizajnuar për të ngjallur mendimin kritik sa i përket normave gjinore që qojnë në dhunë dhe forma të tjera të dëmshme të sjelljes. Shkalla e lartë e përdorimit të alkoolit në rajon gjithashtu inkurajon këtë program të përqendrohet në konsumin e alkoolit me rrezik të lartë, i cili shoqërohet me gjasë të shtuar për ushtrim të dhunës në shumë situata. Si njëra nga përpjekjet e para sistematike të bazuara në dëshmi në rajon për adresimin në mënyrë specifike të sjelljes së burrave të rinj dhe cenueshmërive të nga perspektiva gjinore, YMI ka sjellë rezultate pozitive në nivele të ndryshme dhe konsiderata të dobishme për programet e të rinjve në rajon dhe më gjerë.
Nga të qenit hulumtim cilësor i vogël i cili eksploronte qëndrimet dhe sjelljet e burrave të rinj, YMI u rrit me kalimin e viteve duke u shndërruar në program gjithëpërfshirës me përbërës të ndryshëm, që synon të rinjtë, prindërit, mësimdhënësit, punonjësit edukativë, studentët e universitetit, gazetarët dhe akterët e tjerë të rëndësishëm.
Klikoni këtu për të lexuar më shumë.
Në vitin 2013, CARE dhe partnerët e tyre, OJQ-të lokale të të rinjve filluan të zhvillojnë programin që synonte të rinjtë në shkolla – Programi Rinia – Qasje Inovative në Parandalimin e DHBGJ-së dhe Promovimin e Jetesës së Shëndoshë për të Burrat e Rinj dhe Gratë e Reja (Program Youth – Innovative Approaches in GBV Prevention and Healthy Lifestyle Promotion for Young Men and Women) me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim, Qeverisë së Zvicrës, Fondacionit Oak dhe CARE Gjermani-Luksemburg, Kjo fazë e YMI filloi me zbatim në shkollat e mesme, duke i mundësuar asaj të arrijë nivel të lartë të pjesëmarrjes së burrave të rinj dhe grave të reja të moshave 14-19 vjeç. Fokusimi tek të rinjtë është i rëndësishëm, sepse adoleshenca është moment kyç në procesin e socializimit, moment ky kur qëndrimet dhe sjelljet tek të rinjtë janë akoma në zhvillim. Në shkollat pjesëmarrëse në program, sesionet e Programit Y zhvillohen nga ana e edukatorëve të trajnuar, dhe gjithashtu janë të integruara në orarin e rregullt mësimor gjatë vitit shkollor. Këto janë të fokusuara në katër fusha kryesore të programit: (1) qëndrimet gjinore; (2) dhuna; (3) seksi, shëndeti dhe mirëqenia; dhe (4) përdorimi i alkoolit dhe i drogave. Iniciativa e Burrave të Rinj shtrihet edhe përtej klasave shkollore. Programi përfshin trajnime shtesë rezidenciale, ku facilitatorët mbajnë sesione shtesë dhe aktivitete për krijimin e ekipit në një mjedis më angazhues. Për më tepër, programi përfshin gjithashtu edhe fushatën e mënyrave të jetesës ”Bonu Burrë”, e cila synon të fuqizojë mesazhet kryesore të Iniciativës së Burrave të Rinj, dhe të inkurajojë ndryshimet në nivel të shkollës dhe më gjerë. Fushata mbështetet nga shumë materiale edukative, rrjetet sociale dhe “aktivitete” të organizuara dhe të zhvilluara nga ana e nxënësve, anëtarëve të klubeve “Bonu Burrë” (me shkurtesën KBB).
Klubet “Bonu burrë” krijohen si klube të nxënësve të shkollave të mesme të cilët janë të angazhuar, në mënyrë kreative, në projektimin dhe zbatimin e fushatave dhe aktiviteteve që zhvillohen në shkollë dhe në komunitet. Klubet “Bonu Burrë” nuk janë klube që përfshijnë vetëm burra të rinj, megjithëse emri i tyre mund t’ju shtyjë të mendoni kështu. Këto klube përfshijnë burra të rinj dhe gra të reja në mënyrë të barabartë, me qëllim krijimin mënyrave të shëndetshme të jetesës për të gjithë ata. Arsyeja është se klubet në rajon kanë arritur nivel të lartë të brendit dhe të njohjes, si mënyrë jetese pozitive për të rinjtë.
Anëtarët e klubeve “Bonu burrë” janë burra të rinj dhe gra të reja dhe ata mbledhin qindra anëtarë aktivë në rajon. Në Ballkan, aktualisht janë 30 klube “Bonu burrë” me rreth 2500 anëtarë aktivë. Filozofia kryesore e Iniciativës së Burrave të Rinj është se burrat e rinj nuk duhet të konsiderohen si pengesë për paqe dhe barazi gjinore, por si aleatë kryesorë në promovimin e marrëdhënieve dhe komuniteteve jo të dhunshme e të shëndetshme. Gratë e reja, si anëtare aktive të komunitetit, duhet të jenë pjesëmarrëse aktive në shoqëri, si dhe agjente të ndryshimit. Këto ditë, ne jemi dëshmitarë që gratë e reja nuk janë vetëm viktima, por edhe autore të dhunës në një masë më të vogël. Si burrat e rinj ashtu edhe gratë e reja, në adoleshencë, kërkojnë edukim shtesë në lidhje me mënyrat e shëndetshme të jetesës dhe parandalimin e dhunës mbi baza gjinore, si udhëzues për barazinë gjinore dhe shoqërinë me barazi gjinore. Iniciativa e Burrave të Rinj beson se nëse nxënësit mësojnë për dhunën, si dhe si të kundërshtojnë normat mbizotëruese gjinore, dhe nëse ata kanë mundësinë t’i zbatojnë këto ide dhe aftësi të reja në një mjedis të sigurt, ata do të kenë më shumë të ngjarë t’i përqafojnë këto informata që me kalimin e kohës do të rezultojnë në mënyra jetese me më shumë barazi gjinore, më të shëndetshme dhe pa dhunë. Për më tepër, teksa normat në grup fillojnë të ndryshojnë, programi ndihmon në krijimin e një mjedisi më tolerant dhe miqësor në nivel shkollor. Kjo rrugë ndryshimesh, të cilën burrat dhe gratë e reja e përshkojnë dhe nga e cila përqafojnë ide të reja, fuqizohet nga disa struktura mbështetëse, siç janë shembujt për t’u ndjekur të cilët nuk janë të dhunshëm (p.sh. facilitatorët e YMI), mbështetja e rrjeteve sociale, si dhe stimulimi i mjedisit shkollor. Më shumë informata në lidhje me programin “Iniciativa e Burrave të Rinj”, si dhe fazat e zbatimit, mund të gjenden në uebfaqen zyrtare të programit: www.youngmeninitiative.net